F1, Arrivabene kërkon të mbajë lart moralin: Ferrari është shumë mirë

F1, Arrivabene kërkon të mbajë lart moralin: Ferrari është shumë mirë

Edhe pse titulli kampion i këtij Botërori në Formulën 1 duket tashmë thjesht një iluzion, drejtuesi më i lartë i Ferrarit, Maurizio Arrivabene kërkon të mbajë lart moralin, pavarësisht tërheqjes së Vettel nga gara e fundit në Suzuka të Japonisë.

Edhe këtë fundjavë, “kokëkuqja” përjetoi ditë për t’u harruar. “Na duhet ende të presim të shijojmë ndonjë ditë jo të komplikuar, - është shprehur Arrivabene. - Sot patëm një problem me kandelet, njëra prej të cilave u prish së bashku me bobinën”.

Megjithatë, ai dhe piloti gjerman Sebastian Vettel janë përqafuar në bokse, pas tërheqjes së këtij të fundit.

“Ai përqafim nënkupton se ndodhi kjo që panë të gjithë, por ne nuk dorëzohemi. Makina, pavarësisht disa gjërave të vogla që na kanë braktisur së fundi, është ende e mirë. Do të bëjmë gjithçka deri në fund, por skuadra jonë është e re, e motivuar dhe duhet të shtrëngojë dhëmbët për të ecur përpara”, tha Arrivabene.

Hamilton kryeson tashmë me 59 pikë diferencë...

“Janë shumë, por duhet të jemi modestë dhe të pranojmë se, ato gjëra që na kanë munguar neve, kundërshtarëve tanë për fat të keq nuk u ka ndodhur gjë. Dy garat e fundit na kanë penalizuar shumë, me disa pjesë përbërëse që s’kanë të bëjnë fare me projektin tonë. Nga ku duhet t’ia nisim? Të kthejmë faqe, të jemi të motivuar dhe të bëjmë analizat për çfarë ka ndodhur. Sigurisht të shkojmë në Austin të Teksasit për të luajtur deri në fund kartat tona”, tha drejtuesi më i lartë i Ferrarit.