F1, “Max”-i festë për 20-vjetorin e Verstappen (Notat)

F1, “Max”-i festë për 20-vjetorin e Verstappen (Notat)

Çmimi i Madh i Malajzisë i dha verdiktet e tij e tashmë mund të arkivohet për të parë përpara drejt fundit të këtij Botërori të Formulës 1. Por cilët ishin më të mirët, e cilët ata që lanë gjurmë pas kësaj gare, që u karakterizua prej fillimit nga problemet e Ferrarit, pavarësisht rikuperimit të Vettel me 16 pozicione?

Max Verstappen, nota 10 - Shpërthyes! Duket se piloti holandez i Red Bullit i ka lënë pas shpinës problemet që e kanë shoqëruar në të gjithë këtë sezon. Një Botëror i nisur në malore, i karakterizuar nga shumë incidente dhe nga akuzat për një agresivitet të tejskajshëm. I fundit mes kritikëve është regjistruar edhe Hamilton. Por Max duket se i ka lënë mënjanë të gjitha dhe në 20-vjetorin e tij të lindjes arrin një fitore të bujshme. Holandezi duket se është në rrugën e duhur për të qenë një sfidues i denjë i kundërshtarëve kryesorë për titull.

Hamilton, nota 9 - Siguroi “pole position”-in në provat zyrtare, por e mbylli garën në vendin e dytë. Në Malajzi, me një Mercedes që ia vështirësoi tej mase jetën, duket se edhe kjo arritje është vetëm falë meritës së tij.

Ricciardo, nota 8 - U tregua i zoti teksa mbajti pas shpine Sebastian Vettel, një pilot i furishëm që rikuperoi shumë, nga vendi i 20 prej ku nisi garën, në vendin e katërt. Gaboi në fillim të garës, por pas 8 xhirosh arriti ta kapte dhe parakalonte finlandezin Bottas me Mercedes.

Vettel, nota 8 - Ishte heroi i këtij Çmimi të Madh në Singapor. Megjithatë, “qershinë mbi tortë” e humbi pas prerjes së vijës së finishit, për shkak të përplasjes me Stroll. Ndoshta duhej të ishte treguar më pak “yll” kur në krah i doli një fillestar debutues.

Bottas, nota 7 - U shfaq një “luan” i vërtet në fillim të garës, kur shumë shpejt u vendos pas shpatullave të Hamilton, por më vonë u detyrua të tërhiqej, ndoshta edhe për shkak se Mercedesi i tij nuk i ofronte më shumë sesa mori.

Perez, nota 7 - Më i miri i pilotëve “normalë”, që me një makinë si Force India nuk mund të bënte më shumë sesa parakalimi i Vandoorne. Menaxhoi pjesën tjetër të garës, por s’mund t’i kërkoje më shumë nga ç’bëri.

Vandoorne, nota 7 - Duket se ky pilot zhvilloi një garë të tijën, në fund të së cilës rrëmbeu një “medalje”, atë të paraqitjes më mirë sesa kolegu i skuderisë, Fernando Alonso, si në provat zyrtare, ashtu edhe në garë, ku rrëmbeu disa pikë të çmueshme.

Stroll, nota 6.5 - Një garë e pranueshme, ku rikuperoi 5 pozicione deri në vendin e 8. Por duket se kanadezi e ka marrë një leksion pas Malajzisë: Është më mirë të shohësh nga pasqyrat, edhe kur gara ka përfunduar.

Ocon, nota 6 - Një pikë, e mjaftueshme sa për të thënë që përfundoi një garë me shumë incidente.

Alonso, nota 5 - Një garë për t’u harruar, si shumë të tjera gjatë këtij sezoni. Këtë herë shkaktoi dyshime edhe për moslejimin e hapësirave ndaj Ferrarit të Vettelit, që ishte duke e dubluar në një sulm që synonte të kapte e parakalonte Ricciardon e vendit të katërt, por që s’ia doli mbanë.

Raikkonen, pa notë - Një udhëtim në Malajzi, nga ku duket se do t’i mungojë më shumë aeroporti sesa pista. Me ftohtësinë që e karakterizon finlandezin, duket se është kthyer “në shtëpi” i pakënaqur. Por jo për faj të tij, sesa të problemit elektronik të makinës, që duket se ishte i ngjashëm me atë që pengoi Vettelin të regjistronte një xhiro të shpejtë në provat zyrtare të së shtunës.