Botërori i F1 mbetet ende i hapur. Wolff: Nuk na mjafton të mbrohemi

Botërori i F1 mbetet ende i hapur. Wolff: Nuk na mjafton të mbrohemi

Botërori i Formulës 1 ka hyrë në një fazë tejet të nxehtë, e klasifikimi për pilotë pas Çmimit të Madh të Malajzisë nuk duhet të na mashtrojë, të paktën nëse i kthehemi një historie të ngjashme të nisur nga viti 1999.

Megjithatë, një fakt duhet pranuar: Lewis Hamilton ka rritur diferencën në kryesim nga 28 pikë në 34 pikë, por duket se në këtë fazë të Botërorit nuk ka në duart e tij makinën më të shpejtë të mundshme. Madje për këtë ka qenë më i vetëdijshëm se kurrë edhe vet piloti britanik, i cili pas iluzionit të provave zyrtare të së shtunës, ku siguroi “pole position”-in, pati një ritëm gare jo të kënaqshëm, aq sa nuk mundi të kapte as Red Bullin e Max Verstappen.

“Ferrari ishte me 8 të dhjetat më i shpejtë sesa ne”, ka pranuar kryesuesi i kampionatit për pilotë, përpara se të largohej nga pista me një fytyrë jo të buzëqeshur.

Tashmë, nëse në Maranello do të mund të arrijnë me saktësi totale shkakun që detyroi Vettelin të shtunën të mos bënte asnjë xhiro për kualifikueset, e Raikkonenin të dielën të tërhiqej nga starti i Çmimit të Madh të Malajzisë, ndoshta nga Suzuka e në vijim mund të shohim një tjetër kampionat të Formulës 1.

Për më tepër që, i detyruar nga rrethanat, Ferrarit do t’i duhet të përballojë 5 garat e mbetura me njësitë motorike të reja, ndërsa ekziston edhe një luftë e brendshme për të evituar penalizimet nëse do t’u duhet të përdorin motorët e garave të Silverstone dhe Spa Francorchamps.

“Nëse do të mendojmë se nga tani e deri në fund të kampionatit do të na mjaftojë të mbrohemi, atëherë e kemi të humbur Botërorin e Formulës 1”, ka theksuar me të madhe Toto Wolff. Fjalë këto që tregojnë se edhe rivalët për titull të Ferrarit ndihen jo të sigurtë për kryesimin, ndërkohë që “kokëkuqen” e bëjnë me krahë për të ringritur moralin.