F1, optimisti Vettel: Kam besim se do të triumfojmë

F1, optimisti Vettel: Kam besim se do të triumfojmë

Shpresa vdes e fundit! Kjo është fraza që përkufizon sjelljen që do të ketë Sebastian Vettel në 6 garat e fundit të Botërorit të Formulës 1.

Pas figurës së shëmtuar që bëri në garën e Singaporit, duke u bërë protagonist i një aksidenti që e nxori edhe atë jashtë, piloti gjerman i Ferrarit e sheh veten 28 pikë larg kryesuesit të kampionatit, Lewis Hamilton.

Megjithatë, kjo nuk e pengon Vettelin që të shprehet optimist përsa i përket triumfit përfundimtar.

“Mendoj se jemi të fortë dhe me plot besim. Edhe pse në 3 garat e fundit nuk kemi pasur rezultate të mira dhe kemi humbur avantazhin që kishim, unë kam ende shpresa, pasi makina jonë është e shpejtë”, tha Vettel.

Më pas Vettel foli për incidentin në Singapor, me Raikkonen e Verstappen, duke theksuar se kritikat e fundit të bëra në drejtim të tij nuk kanë ndikuar tek ai.

“Mund të jetoj fare mirë me kritikat. Është e lehtë të krijohet një opinion duke i parë gjërat nga jashtë. Gjithnjë kërkoj të jap më të mirën, nëse më jepet mundësia të bëj një parakalim apo të mbroj një pozicion, duhet ta bëj dhe kaq. Kjo është ajo që besoj unë”, vijoi 4 herë kampioni i botës në F1.