Gara e fundit në Sepang, Hamilton shpreh keqardhje

Gara e fundit në Sepang, Hamilton shpreh keqardhje

Çmimi i Madh i Malajzisë këtë fundjavë do të shënojë garën e fundit në pistën e Sepang, një ndalesë në botërorin e Formula 1 që për Lewis Hamilton do të jetë e vështirë të zëvendësohet.

Pas 19 vjetësh me radhë mes emocioneve dhe spektaklit në pistë, monarkia aziatike do të presë për herë të fundit pilotë elitarë më 29 shtator.

Mercedes që merr miliona sponsorizime nga kompania malajzeze e naftës Petronas do të synojë t’i bëjë një mbyllje të denjë historisë, që gjithsesi mund të rezervojë skenarë të rinj në të ardhmen.

"Është vërtet e trishtueshme të mendosh që kjo është gara e fundit në cirkuitin e Sepang. Është një ndalesë epike për ne në termat e spektaklit dhe sfidës fizike. Për mua është një nga më të vështirat, për të mos thënë më e vështira dhe e vështirë që të zëvendësohet" tha Lewis Hamilton.

"Shpresoj që ta bëjmë Petronas krenare me rezultatet tona të dielën, pasi na kanë mbështetur shumë dhe kemi patur sukses", vijoi piloti britanik.

Kur duhen edhe 6 gara nga fundi i botërorit të Formula 1, Lewis Hamilton është favoriti numër 1 për të marrë titullin e 4 në karrierën e tij.