F1, babai i Verstappen: Vettel duhej skualifikuar

F1, babai i Verstappen: Vettel duhej skualifikuar

Polemikat mbi aksidentin në nisje të Çmimit të Madh të Singaporit, në Formulën 1, pas të cilit dolën jashtë dy makinat Ferrari të Vettel dhe Raikkonen, por edhe Red Bulli i Verstappen, janë ende të ndezura.

Pavarësisht se FIA nuk ndëshkoi asnjërin prej tyre, pasi nuk gjeti fajtor në atë përplasje, holandezi Max, edhe tani që është më gjakftohtë duket se ka ende për të shfryrë.

“Nuk e kuptoj atë manovër të Sebastian. Edhe pse garon për titullin kampion bote, gaboi duke ndërmarrë mbi supe një rrezik kaq të rëndë”, është shprehur Max Verstappen.

Sipas asaj që raporton “Autosport”, piloti holandez ka shtuar më tej se “Vettel nuk ka kërkuar falje”.

“Është mjaftuar të thotë se, nëse koha do të kthehej pas gjërat mund të kishin shkuar ndryshe, por ajo që ndodhi, ndodhi”, rrëfen piloti i Red Bull.

Për incidentin, sigurisht në mbrojtje të të birit ka reaguar edhe babai Jos Verstappen.

“Nëse shihen sërish pamjet, Max është detyruar të jetë mes Vettelit dhe Raikkonenit, e rrjedhimisht nuk mund të shkonte as majtas dhe as djathtas. Si mund të fajësohet për këtë? Besoj se Sebastian meritonte një penalitet, por duke parë se e ka marrë tashmë një paralajmërim, nëse do të ndëshkohej do të duhej të mungonte për një garë. Por drejtuesit e FIA-s kanë zgjedhur të bëjnë një lojë politike dhe kanë folur thjesht për një incident. Nuk është e drejtë të mbyllet me kaq”.