Carlos Sainz transferohet te Renault në 2018

Carlos Sainz transferohet te Renault në 2018

Carlos Sainz Jr. do të garojë për Renault sezonin e ardhshëm. Spanjolli do të kalojë me formulën e huazimit për një sezon nga Red Bull, që ka nën kontratë pilotin.

Lëvizja e parë e merkatos së pilotëve për vitin 2018 vjen nga Renault që ka siguruar për një sezon spanjollin që garon me Toro Rosso. Sainz do të marrë vendin e britanikut Jolyon Palmer. Sainz është në sezonin e tij të tretë në Formula 1 dhe është pilot i skuadrës satelit të Red Bull, Toro Rosso, ndërkohë që më parë ka qenë pjesë e Renault, në kategoritë më ulëta.

Manaxheri i Renault Cyril Abiteboul ka vlerësuar spanjollin si një pilot shumë të talentuar dhe me perspektivë dhe se ai ka qenë në radarët e Renault prej kohësh.

Vetë Sainz ka quajtur një nder që do të jetë pjesë e kësaj skuadre për vitin 2018, ndërsa në profilin e tij në Twitter ai ka postuar një fotokujtim, teksa ulej si vizitor 11 vjet më parë, në atë makinë që e pilotonte Fernando Alonso.