F1, pas “KO” në shtëpi, Ferrari ka ende “karta” për të zbuluar

F1, pas “KO” në shtëpi, Ferrari ka ende “karta” për të zbuluar

“Di që është një fitore e dyfishtë, e vështirë për t’u pranuar nga tifozët italianë”, ishte shprehur Lewis Hamilton menjëherë pas triumfit në Monza të Italisë.

E në fakt ka të drejtë, pasi humbja është ndjerë shumë. Në Monza, Ferrari dështoi në të gjitha aspektet. Një dështim që i pati rrënjët nga e shtuna, në provat zyrtare nën reshjet e shiut, e që vijoi edhe të dielën në garën për Çmimin e Madh të Italisë.

Pikërisht në shtëpinë e tij, Ferrari humbi shpejtësinë, që kishte rezultuar një “armë” më shumë në “Spa Francorchamps” të Belgjikës. Dhe pyetja që lind këtu është pikërisht ajo që ka lidhje me këtë detaj: si ka mundësi të ndodhë gjithë kjo diferencë në vetëm 7 ditë?

Dihej që pista belge dhe ajo italiane ishin dy mundësi “të arta” për Mercedesin që të rikuperonte në garën për titull në Formulën 1. Hamilton i shfrytëzoi në maksimum këto mundësi, por nëse në Belgjikë humbi për vetëm pak sekonda, në Monza, britaniku ishte ndjeshëm i shkëputur nga Vettel, ndërsa nga Raikkonen edhe më shumë.

Edhe deklarata e presidentit të Ferrarit, Sergio Marchionne, që u shpreh se “po i vinin mendtë rrotull” është mëse e kuptueshme. Pasi kaloi një garë, nga e cila mundi të dilte me konkluzionin se “tashmë jemi të barabartë me Mercedesin”, në pistën e shtëpisë së tij Ferrari bëri më të pamundurën.

Për presidentin, që e pa Çmimin e Madh të Italisë në krah të kryeministrit Paolo Gentiloni, kjo figurë e shëmtuar sigurisht që nuk mund të kapërdihet kollaj.

Megjithatë, me të kaluar inati, tashmë duhet ruajtur gjakftohtësia. Vërtet zhgënjimi ekziston dhe është i thellë, por siç thotë Vettel, cilësia e asaj që është bërë deri më tani nuk mund të fshihet për një garë të gabuar. Hamilton është ende aty pranë, vetëm 3 pikë larg në krye të klasifikimit, e Ferrari duket se ka ende “karta” në duar për të luajtur.

Për dy javë vjen radha e Singaporit dhe, siç është parë edhe në të kaluarën në çmimet e mëdha të Montekarlos dhe Hungarisë, kokëkuqet “SF70-H” duket se kanë diçka më shumë sesa rivalët në pista që janë edhe rrugë urbane. Një fitore, aspak e pamundur në qytetin-shtet aziatik, do të rikthente klasifikimin në drejtimin e duhur për ferraristët. Ndërsa më pas vijnë një seri garash që varen më shumë nga motori dhe, duke nisur nga Sepangu i Malajzisë, Ferrari do të hedhë në “fushën e lojës” kartën e njësisë së re motorike, që mund t’i japë fuqinë e duhur që i mungoi në Monza.

Mercedesi, që tashmë e ka vendosur motorin e katërt sezonal që në “Spa” të Belgjikës, do të duhet ta përballojë sezonin me atë që ka aktualisht. Por a do të mjaftojë kjo? Këtë pritet ta verifikojë verdikti i garave të ardhshme, por ajo që dihet me siguri është se nga tani e deri në fund do të shohim një duel tejet apasionues mes Hamilton dhe Vettel.