F1 në Monza, Vettel-Raikkonen: Kemi punë për të bërë

F1 në Monza, Vettel-Raikkonen: Kemi punë për të bërë

Dy sesionet e provave të lira të kësaj të premteje në pistën e Monzës, përpara Çmimit të Madh të Italisë, Sebastian Vettel i mbylli në vendin e tretë, duke parë përpara tij dy pilotët e Mercedesit.

Megjithatë, për gjermanin “situata është pozitive, nëse vutë re sesa shumë njerëz e flamuj kishte qysh këtë të premte”.

“Sa i përket asaj që dhamë në pistë mund të them se ishte një ditë me ndjenja të përziera. Duhet të përmirësohemi ende, por nesër besoj se gjërat do të shkojnë shumë më mirë”, tha piloti pretendent për titullin kampion i “kokëkuqes”.

Në pjesën më të madhe të sesioneve të lira, Ferrari përdori gomat e buta dhe për këtë Vettel ndihet i kënaqur, pavarësisht se u përball në pistë me një trafik të rënduar dhe me ndërhyrjen e makinës virtuale të sigurisë.

“Nëse do të mund të xhiroj në sesionin e dytë dhe të tretë të provave zyrtare me goma të buta, këtë nuk e di. Por Monza, historikisht është një garë me një ndalesë, kështu që do të shohim. Nuk ishte një ditë tërësisht siç do të dëshironim të shkonte, por na duhen të dhëna të mjaftueshme për t’i ekzaminuar”, tha më tej Sebastian Vettel.

Ndërsa finlandezi i Ferrarit, Kimi Raikkonen gjërat duket se nuk kanë shkuar siç duhet.

“Nuk ishte një ditë e lehtë, siç e prisnim, dhe nuk i di arsyet. Nuk e kishim të lehtë ta konfiguronim makinën ashtu siç donim. Ka ende punë për të bërë nesër, e nëse ia dalim të bëjmë ato që duam, me siguri do të mund të jemi më të shpejtë”, thotë Kimi.

Por a mundet të luftojë Ferrari me Mercedesin, sipas mendimit të Kimit, në garën e Çmimit të Madh të Monzës? “Nuk e di, nuk di si të përgjigjem. Nuk e dija dje, nuk e di sot dhe nuk do të mundem ta di deri përpara garës. Megjithatë, ndoshta të shtunën, pas provave zyrtare, mund të kemi një tablo më të qartë sesi do të shkojnë gjërat”.