Monza, komandon Mercedesi. Ferrari në linjën e dytë

Monza, komandon Mercedesi. Ferrari në linjën e dytë

Do të jetë një duel Mercedes-Ferrari, ai që do të japë spektakël dhe do të vendosë për fituesin e Çmimit të Madh të Monzës, të dielën në Formulën 1.

Dita e parë e provave të lira në Itali konfirmoi edhe njëherë duelin mes “shigjetave të argjendta” dhe “kokëkuqeve”, të cilat u renditën përpara të gjithëve në tabelën e kohëve më të shpejta, e duke u siguruar madje se nuk do të kenë “nëpër këmbë” dy makinat Red Bull.

Penaliteti i dhënë dy pilotëve Ricciardo dhe Verstappen për shkak të vendosjes së njësive të reja motorike, do t’u “dhurojnë pa dashur” spostimin disa vende mbrapa, respektivisht 20 vende australianit dhe 15 vende holandezit.

Por e premtja pa më të shpejtë në pistë finlandezin e Mercedesit, Valtteri Bottas, me kohën 1 minutë, 21 sekonda dhe 406 të mijëtat, ndërsa shoku i tij i skuadrës, britaniku Hamilton u rendit pas krahëve të tij me vetëm 52 të mijëtat më shumë.

Mercedesi dominoi edhe sesionin e parë të provave të lira, duke lënë pas Ferrarin. “Kokëkuqja”, gjithsesi, e ka kthyer në zakon të përjavshëm këtë vit faktin që, të premteve mendon për garën, ndërkohë që për provat zyrtare nis të bëjë llogaritë vetëm në sesionin e tretë të provave të lira, që zhvillohet ditëve të shtuna, pak para atyre për “pole position”.

Ndërkohë, Robert Kubica ka folur sërish për mundësinë e rikthimit në Formulën 1. Teksa komentonte provat e lira në “Sky Sport”, piloti polak nuk e ka fshehur dëshirën e tij që të zbresë sërish në pistë, pas testimeve me Renault.

“Pak vite më parë ishte një mendim i largët. Por tani kërkoj të më japin një tjetër mundësi për të garuar. Sigurisht duhet të qëndroj me këmbë në tokë dhe me mend në tru, por muajt e fundit kanë qenë vendimtare për të hequr çdo dyshim nëse mundem apo jo të garoj në nivelet më të larta, siç është Formula 1. Nuk e di çfarë do të ndodhë, por ishte bukur gjatë testimeve. Ende nuk mund të quhem një pilot, sepse nuk garoj, por gjasat janë që të rikthehem. Jam i bindur dhe i ndërgjegjshëm se i kam ende të dhënat për të garuar”, tha Kubica.