Montezemolo mbush 70 vjeç: Më mungon tej mase Ferrari

Montezemolo mbush 70 vjeç: Më mungon tej mase Ferrari

Një histori dashurie që nuk përfundon kurrë. Kështu mund të konsiderohet ajo mes Luca Cordero di Montezemolo dhe “kokëkuqes” nga Maranello.

Menaxheri, ish-president i Ferrarit, mbushi këtë të enjte 70 vite dhe në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, përveçse shprehu dëshirën që të merrte si dhuratë një “kokëkuqe”, tregoi edhe 23 vitet e kaluara në Maranello.

“Ferrari më mungon tej mase. Më mungon çdo produkt që përdorej në pistat e garave, por edhe fabrika me burrat e gratë që punonin në Maranello”, thotë ish-presidenti.

Por a i ndjek më ai garat e Formulës 1? “I shoh që të gjitha dhe vuaj njësoj si më parë. Gjithnjë ndihem i stresuar”.

Montezemolo kujton edhe 3 momentet më të bukura në “jetën e gjatë” të kaluar te Ferrari.

“Së pari, Monza 1975, kur Lauda fitonte Botërorin pas 11 vitesh ndërsa Regazzoni fitonte Çmimin e Madh të Italisë. Së dyti, Suzuka 2000, kur titulli u rikthye në Maranello pas 21 vitesh falë Schumacher. Dhe në fund, sërish Monza 2010, vit kur Alonso fitonte dhe Massa ngjitej në podium”.

Ish-presidenti i Ferrarit kujton edhe “lotët e Enzo Ferrarit në vitin 1975 përmes telefonit pas triumfit të Laudës dhe ato të avokat Agnellit kur kishin mbetur edhe pak xhiro nga fundi i garës së Suzukës”.

Në fund e lëshon një batutë edhe për Marchionnen, pasuesin e tij në krye të skuderisë: Nga ai nuk kam marrë as edhe një kuti çokollatash për suksesin e Ferrarit në bursë.