F1 në Monza, Vettel: Dua të fitoj Botërorin me Ferrarin

F1 në Monza, Vettel: Dua të fitoj Botërorin me Ferrarin

Në konferencën për shtyp në vigjilje të provave të lira për Çmimin e Madh të Monzës, që do të zhvillohet në fundjavë në Itali, Sebastian Vettel, i cili sapo ka firmosur rinovimin me Ferrarit, është shprehur tepër entuziast për skuderinë nga Maranello dhe shokun e skuadrës Kimi Raikkonen.

“Dua të zbuloj ndjesitë që përjetohen kur fiton një kampionat në Formulën 1 me Ferrarin. Qysh i vogël, kur luaja me makina lodre, të gjithë më thonin se ‘e kuqja’ duhet të jetë gjithnjë përpara të tjerave”, deklaroi piloti gjerman, 4 herë kampion bote me Red Bullin.

Këtë fundjavë Formula 1 zbret në Monza, aty ku Vettel mundi për herë të parë të fitonte dhe të ngjitej në shkallën më të lartë të podiumit, kur drejtonte një Toro Rosso. Atë garë e kujton me nostalgji.

“Monza është një pistë speciale për mua. Kam fituar shumë kohë më parë këtu, por në ekipin tim kam ende njerëz që kanë punuar me mua edhe te Toro Rosso, me të cilët ndajmë shpesh këtë kujtim. Mëngjesin e sotëm, teksa ecja në pistë, kam përjetuar shumë emocione. Ky është një nga vendet më speciale për mua, absolutisht. Mbështetja këtu është tejet e rëndësishme, do të presim e të shohim sesa njerëz do të vijnë, por besoj se të gjitha vendet do të jenë të ezauruara. Me siguri që do të jetë një avantazh më shumë për ne”, tha piloti i Ferrarit.

Duke folur për Raikkonenin dhe raportin me të, gjermani tha:

“Rivaliteti me Kimin? Askush nuk ka qëllime negative ndaj një shoku skuadre. Por kushdo kërkon të jetë më i shpejti, pa menduar gjatë për ata që ke në krah. Kjo e jona është një lidhje tejet e fortë, pasi si pilotë kërkojmë të jemi sa më konkurrues të mundemi, por kemi edhe detyra që duhet t’i bëjmë në maksimum për skuderinë”.

Ndërsa për rinovimin nuk mund të kishte veçse fjalë pozitive.

“Që kur isha fëmijë e luaja me makinat prej lodre, gjithnjë kam pasur një të kuqe. Gjithmonë më thoshin se ajo e kuqja duhej të dilte përpara të gjithave. Herën e parë që hyra në bokset e Ferrarit ndodhi falë Michael Schumacher. Pashë gjithë ata njerëz të veshur me të kuqe që punonin mbi një makinë. Atëherë kuptova se kishte diçka magjike aty. Dua të zbuloj edhe ndjesinë që provohet kur fitohet një botëror me Ferrarin”, shtoi më tej Vettel. “Të drejtoj një kokëkuqe është me të vërtetë speciale për mua”.