F1, Verstappen: Qëndroj te Red Bull! Por...

F1, Verstappen: Qëndroj te Red Bull! Por...

Max Verstappen nuk ka aspak ndërmend të largohet nga Red Bulli, të paktën për momentin.

Këtë e ka konfirmuar vet piloti holandez, gjatë një shfaqjeje promocionale në pistën Zandvoort në Holandë, duke shuar zërat e merkatos që e shihnin atë nën shënjestrën e Ferrarit.

“Gjithmonë e kam thënë se nuk kam asnjë motiv për t’u larguar nga skuderia aktuale, nëse do të kem në dispozicion një makinë konkurruese, - thotë Verstappen. - Aktualisht nuk jemi aty ku do të doja të ishim, por kjo nuk do të thotë se dua të largohem...tani”.

Megjithatë, edhe kjo deklaratë e ka një “por...”.

“Nëse brenda dy apo 3 vitesh nuk do të bëjmë progres sa ç’duhet, atëherë do të flisnim ndryshe. Tani për tani jemi duke punuar fort për t’u përmirësuar. Vitin e ardhshëm do të kuptojmë se çfarë na rezervon e ardhmja. Ndërkohë bëjmë hapa përpara, ashtu siç bëjnë edhe skuderitë e tjera, por ne duhet t’ia dalim në një periudhë më të shpejtë sesa të tjerët. Motori? Nuk do të kemi shumë ndryshime, duhet vetëm të sigurohemi se makinat tona do të jenë në avancim në drejtimin e duhur”, deklaroi më tej Verstappen.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i përgjegjësit kryesor të skuadrës, Christian Horner. “Verstappen ka një kontratë deri në vitin 2019 me ne, ndërsa në vitin 2020 do të jetë në merkato. Kështu që nuk ka kuptim të flitet tani për atë që do të ndodhë pas vitit 2019, sepse gjithçka varet nga ne, që duhet t’i ofrojmë një makinë konkurruese, me të cilën të mund të fitojë”.