F1, mungesë parakalimesh. Pengesë aerodinamika dhe bokset

F1, mungesë parakalimesh. Pengesë aerodinamika dhe bokset

Të gjithë protagonistët e Formulës 1 janë fshehur në këto ditë të nxehta vere, për të shijuar ditët e fundit të pushimeve, por të dhënat e fundit tregojnë që elementi më i rëndësishëm i spektaklit në pistë, parakalimet janë ulur ndjeshëm.

Lewis Hamilton është i vetmi pilot që vazhdon të kërkojë konfrontime për këtë argument, por pa u degjuar shumë nga FIA apo skuadrat, por Çmimi i Madh i Hungarisë ekspozoi një problem që duhet përballuar.

Komunikimet në radio në pistën e Budapestit njohën tifozët me vështirësitë që kishte Raikkonen për të mbrojtur Vettelin. Hamilton nuk mund të rrezikonte as së largu ta parakalonte, për të mos u përplasur, dhe kështu britaniku rezistoi. Do të kishte qenë ndryshe, nëse pilotët e kreut do të ishin impenjuar për vendin e parë, por edhe pse mëkat, kjo nuk është hera e parë.

Makinat në Botërorin e 2017-s kanë më shumë peshë aerodinamike dhe të gjitha skuadrat e dinë se do të kishte më tepër spektakël pa sistemin e urryer “DRS”, elementin antisportiv që duhet larguar nga cirkuiti.

Chase Carey, menaxheri i “Liberty Media” që administron Formulën 1, ka mbi supe detyrën e vështirë të këtij argumenti delikat. Menaxheri amerikan ka premtuar, veç të tjerave, edhe një tjetër rishpërndarje të të ardhurave të garave, duke dhënë përshtypjen se do të mundësojë që ekipe të nivelit të dytë, apo të tretë, të bëhen konkurrues po aq sa Ferrari dhe Mercedesi.