F1, Wolff: E mundim Vettelin me strategji tjetër

F1, Wolff: E mundim Vettelin me strategji tjetër

Lewis Hamilton është një prej favoritëve për titullin kampion në Formulën 1, por po has jo pak vështirësi në duelin në distancë me Sebastian Vettel. Për të marrë supremacinë ndaj “kokëkuqes” në F1, te skuadra kampione e Mercedesit kanë ide të qarta për ndryshimin e strategjive.

Përgjegjësi i ekipit gjerman, Toto Wolff duket se u kthjellua më së miri në idetë e tij me pushimet në Costa Smeralda, edhe pse këtë vit nuk shkoi me pushime si dominues.

“Është e dukshme që Ferrari po vë bast gjithçka mbi një pilot të vetëm, ndërsa te Mercedes ne kemi filozofinë t’u japim të njëjtat mundësi të dy pilotëve dhe të garojnë në mënyrë të barabartë. Nga kjo dalim në disavantazh. Në vitet e fundit, Botërorin e diskutonim në familje, por tani është ndryshe dhe na duhet strategji tjetër”, tha zyrtari i Mercedesit.

“Do ta bënim sërish këmbimin e pozicioneve, siç ndodhi në pistën e Hungarisë. Hamilton na kërkoi të parakalonte Bottas për të sulmuar Ferrarin dhe pakti ishte i tillë: nëse nuk ia arrinte do të rikthente pozicionin. Pikët mund të kushtojnë Botërorin, por kemi parimet tona. Nëse do të humbasim titullin për ato 3 pikë do të jetë njësoj sikur të kem qëlluar veten time me armë”, tha Toto Wolff.