F1, McLaren synon të “burgosë” Alonson

F1, McLaren synon të “burgosë” Alonson

McLaren e ka të qartë atë çfarë dëshiron. Të mbajë Fernando Alonson edhe në Botërorin e vitit të ardhshëm në Formula 1.

Ai që e konfirmoi këtë ishte pikërisht drejtori operacional i skuderisë angleze, Jonathan Neale, teksa theksoi se do të bëjë të pamundurën për të mundësuar qëndrimin e dy herë kampionit të botës te McLareni.

Kontrata e spanjollit përfundon këtë vit dhe piloti ka deklaruar se në shtator do të flasë me drejtuesit e skuadrës për të qëndruar, por me kusht që të garantojë rivalitet me më të mirët e pistës.

“Nëse më duhet ta them publikisht mendimin tim, dua që ta mbaj me çdo kusht Alonson në skuderi, por di gjithashtu se ai ka edhe opsione të tjera, ndaj duhet të gjejmë një marrëveshje. Alonso është një nga pilotët më të mirë me të cilët kam punuar, e këtë e ka demonstruar gjithë këto vite në pistë me shumë talent”, tha drejtuesi i McLarenit.

Situata, gjithsesi nuk ndihmohet nga marrëdhëniet e skuadrës britanike me furnizuesin e motorëve Honda, që nuk janë nga më të mirat. Por Mercedesi dhe Ferrari kanë refuzuar publikisht që të ndihmojnë ekipin ishullor, kështu që Renault dhe Honda janë opsionet e vetme.