F1, Vettel në krye të testeve. Kubica, me ritëm garuesi

F1, Vettel në krye të testeve. Kubica, me ritëm garuesi

Dita e dytë e testeve të Formulës 1 në pistën e Hungaroringut, aty ku u garua për herë të fundit përpara pushimeve verore, është dominuar sërish nga Ferrari, por këtë herë me Sebastian Vettel në krye.

Në këtë pistë, skuderitë vazhdojnë testimet për të zhvilluar më tej makinat për garat e ardhshme, ndaj dhe në ditën e dytë Ferrari zbriti në pistë pilotët kryesorë, teksa në ditën e parë kishte provuar drejtimin e një “kokëkuqeje” edhe Leclerc.

Vettel regjistroi kohën 1 minutë, 17 sekonda e 124 të mijëtat, duke lënë pas krahëve Lando Norris me McLaren dhe shokun e tij të skuadrës, Kimi Raikkonen. Menjëherë pas tyre u rendit një emër i njohur në botën e Formulës 1, por që mungon prej shumë kohësh: Robert Kubica.

Polaku duket se ka marrë rezultate mëse pozitive teksa është rikthyer për herë të parë në timonin e një automjeti të konfiguruar për garat e këtij sezoni. Kubica zhvilloi 74 xhiro, pak më shumë sesa xhirot e një Çmimi të Madh zakonisht, dhe regjistroi kohën e 7 më të mirë. Më tej ka rritur ritmin dhe regjistroi kohën e 4-t më të mirë të ditës së djeshme, pasi realizoi thuajse 142 xhiro në total.