Kubica, drejt rikthimit. Të mërkurën, testi vendimtar me Renault

Kubica, drejt rikthimit. Të mërkurën, testi vendimtar me Renault

Çmimi i Madh i Hungarisë ishte i fundit përpara pushimeve verore të pilotëve të Formulës 1, por në Hungari vijojnë ende testimet dyditore. E në këto teste, sytë dhe vëmendja janë fokusuar te polaku Robert Kubica.

Duke nisur nga e mërkura, Kubica pritet të jetë sërish një pilot i Formulës 1, gjë që e kishte deklaruar edhe ai vet pas ditëve të vështira që pasuan incidentin e tmerrshëm në garën Rally të Andorrës, më 6 shkurt të vitit 2011, kur rrezikoi seriozisht të vdiste dhe mjekët profetizonin për të fundin e karrierës për shkak të dëmtimeve të rënda që kishte pësuar. E rrezikoi jo pak, por t’i pritej krahu i djathtë.

“Do të më shihni sërish në ‘paddock’ dhe vetëm si pilot”, ishte shprehur ai. Një gjë e tillë do të ndodhë të mërkurën, kur të hipë sërish mbi një Renault RS17, në testin vendimtar për të mësuar nëse mund të jetë një opsion për skuderinë franceze për sezonin e ardhshëm të Formulës 1.

Pikërisht këtë të martë, në Budapest ai ishte më i kërkuari nga fotografët dhe reporterët. Të dielën, ai kaloi testin e fundit të kontrollit për të marrë “dritën jeshile” për të garuar në pistë. Testet e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) parashikojnë ndër të tjera zëvendësimin e timonit të njëvendëshes brenda 10 sekondash dhe, duke parë lëvizshmërinë e kufizuar të krahut të djathtë si pasojë e incidentit të vitit 2011, pati një shqetësim nëse mund t’ia dilte, por ai ia doli mbanë.

Kubica ka bërë disa xhiro javët e kaluara edhe në dy testime të tjera përgatitore, në Valencia dhe Le Castellet. Por në ato raste kishte garuar me një Lotus E20 të vitit 2012 me tejalo Renaulti. Ndërsa të mërkurën do të garojë ekzaktësisht me një makinë që është konfiguruar për garat e këtij viti.