Sistemi “Halo” në F1, Red Bull e Mercedes dalin kundër

Sistemi “Halo” në F1, Red Bull e Mercedes dalin kundër

Vendimi i FIA për të detyruar skuadrat që të përdorin sistemin mbrojtës “Halo” në makina në vitin 2018 nuk është pritur aspak mirë nga drejtuesit e Mercedes dhe Red Bull të cilët e kanë kundërshtuar me forcë këtë vendim.

“Përdorimi i sistemit ‘Halo’ është absolutisht një gabim”, tha Niki Lauda. “Nuk kam asnjë dyshim që siguria duhet përmirësuar ku është e mundur, por ne provuam “Halo”-n, dhe Aeroscreen të Red Bull, ndërsa Ferrari testoi sistemin Shield dhe asnjë prej tyre nuk bindte plotësisht. Por sistemi ‘Halo’ është një gabim”.

Sipas Laudas, vendimi për të përdorur këtë sistem mbrojtës u dha në një moment disi të çuditshëm duke qenë se Liberty Media po bën përpjekje për të përmirësuar Formula 1.

“Tani kemi makina më të shpejta, audienca është rritur dhe po kërkojmë të rrisim numrin e tifozëve, por ky vendim i fundit po shkatërron gjithçka”, shtoi Lauda. “Mendoj se ka zgjidhje shumë më të mira se sistemi ‘Halo’, përndryshe nuk do të kishim provuar alternativa të tjera. Do të jetë më mirë që të vijojmë kërkimet dhe të gjejmë diçka që të mos shkatërrojë shikueshmërinë dhe ta përdorim në 2019”.

Në të njëjtën linjë me Laudan qëndron edhe Helmut Marko i Red Bull që deklaroi se sistemi “Halo” është kundërt “ADN”-së së Formula 1.