F1, Mercedesi shfaqet “zot” në “Silverstone”

F1, Mercedesi shfaqet “zot” në “Silverstone”

Fundjava e “Silverstone” ka nisur nën shenjën e Mercedesit. Finlandezi Valtteri Bottas ka shënuar kohën më të mirë në dy sesionet e provave të lira, duke e mbyllur ditën në krye të klasifikimit provizor me kohën 1 minutë, 28 sekonda dhe 496 të mijëtat, të regjistruar me gomat e buta.

Britaniku Lewis Hamilton, i cili garon në shtëpinë e tij, renditet menjëherë pas shpatullave të shokut të skuadrës, me vetëm 47 të mijëtat më shumë, ndërsa menjëherë pas “shigjetave të argjendta” shfaqen dy “kokëkuqet” e Ferrarit, me Kimi Raikkonen të tretin dhe Sebastian Vettel të katërtin, respektivisht me 3 të dhjetat dhe 4 të dhjetat më më të ngadaltë sesa Bottas.

Ajo që ra në sy në këto prova të lira ishte dalja nga pista e finlandezit Kimi Raikkonen, por për fat pa shkaktuar pasoja në makinën e tij.

Duket se gara për Çmimin e Madh të Britanisë do të ofrojë një tjetër duel të zjarrtë mes Mercedesit dhe Ferrarit, por duke gjykuar nga ajo që ndodhi në këto sesione të lira, duket se në këtë pistë, skuderia nga Shtutgarti i Gjermanisë pritet të marrë më të mirën.

Megjithatë, surprizat mbeten të mundshme, pasi pikërisht për këtë fundjavë, si Ferrari ashtu edhe Mercedesi kanë sjellë risi sa i përket njësisë së motorit. Të katër pilotët e këtyre dy skuderive kanë provuar njësinë “endotermike”, e dyta në sezon për të gjithë pilotët, por që për “shigjetat e argjendta” është shoqëruar edhe me një motor të ri turbo (MGU-H dhe MGU-K).

Ndërsa për Ferrarit, ky është motori turbo i tretë për Raikkonen dhe i dyti për Vettelin. Ndërkohë, për Alonson duket se e pret një penalizim me 5 vende në radhën e nisjes, pasi ka ndërruar bateritë, duke provuar njësinë e pestë me McLarenin e tij.

Sa i përket renditjes provizore, vendet 5-6 i ka zënë Red Bull me Max Verstappen dhe Daniel Ricciardo, e më pas janë Hulkenberg me Renault dhe Felipe Massa me Williams. Provat zyrtare dhe garën për Çmimin e Madh të Britanisë do të mund t’i ndiqni në Top Channel HD, të shtunën dhe të dielën duke nisur nga ora 14:00.