Vettel-Hamilton, “paqe” e rreme

Vettel-Hamilton, “paqe” e rreme

Duket se paqja mes Hamilton e Vetell ka qëndruar vetëm në tavolinë gjatë konferencës për shtyp, pasi mëritë mes paleve janë ende të mëdha. 

Pas incidentit në Baku, marrëdhënia mes dy pilotëve që luftojnë për titullin kampion bote në këtë sezon në F1 nuk është aspak e qetë, edhe pse Vettel kërkoi zyrtarisht falje. Gjermani mori një penalitet në garë 2 javë më parë, por duket se kjo nuk ka mjaftuar, sipas Hamilton, që ende nuk e ka gëlltitur episodin në Azerbajxhan.

Kjo u vertetua edhe pas përfundimit të provave kualifikuese për Çmimin e Madh të Austrisë, që zhvillohet këtë javë. Në momentin që po intervistoheshin nga gazetari i Sky Sport Italia, Davide Valseki, ky i fundit i ka kërkuar britanikut që të shtrëngojë dorën me Vettel. Hamilton nuk e ka aprovuar këtë gjë, madje ka kthyer shpinën, duke belbëzuar se “e kemi bërë këtë gjë”.

Me një diferencë prej 14 pikësh Hamilton e Vettel do të jenë sërish në pistë këtë të dielë, me gjermanin që duket në avantazh, teksa ka shansin të niset i dyti, ndërsa Hamilton për shkak të një penaliteti me 5 pozicione do të niset i teti.