Vettel mbush 30 vjeç, por dhuratë...merr thirrjen nga FIA

Vettel mbush 30 vjeç, por dhuratë...merr thirrjen nga FIA

Sebastian Vettel mbush 30-vjeç e festën për këtë përvjetor lindjeje po e kalon në Paris. Por, në vend që të shpresonte një dhuratë të këndshme ditëlindjeje, këtë herë i druhet një ndëshkimi.

Pikërisht sot, në 30-vjetorin e lindjes së tij, piloti gjerman i Ferrarit pritet t’i përgjigjet ftesës së presidentit të FIA-s, Jean Todt, i cili e ka thirrur në selinë e organizmit më të lartë drejtues të sportit të automobilizmit për të “ekzaminuar nëse duhen ndërmarrë masa të mëtejshme”, ndaj 4 herë kampionit të botës për sjelljen e tij në garën e Bakusë ndaj Lewis Hamilton.

Zyrtarisht nuk bëhet fjalë për një “proces” kundër Vettelit, e ky i fundit nuk nevojitet të paraqitet me avokatët e tij ligjorë. Por shqetësimet janë ende aty, kjo nëse merr në konsideratë se Sebastian e kishte marrë një paralajmërim për të shmangur të të ardhmen veprime të pahijshme, pas ofendimeve në radio ndaj Charlie Whiting gjatë garës së Meksikës, gjë që e bën veprimin e Bakusë përsëritës.

Në Baku, gjatë regjimit të “Safety Car”, ferraristi u ndëshkua me një ndalesë në “pit stop” prej 10 sekondash, për shkak të “garimit të rrezikshëm” përballë Hamiltonit, me këtë të fundit që u godit nga gjermani pasi Vettel e kishte penguar. Sipas Sebastian, pengimi ishte faj i Hamiltonit, pas një testi të frenave të britanikut të Mercedesit. Por komisarët e pistës e kanë shfajësuar Lewisin. Pas garës nisën protestat për dënimin “e lehtë” që iu sanksionua Vettelit.

Tashmë, 3 janë mundësitë mbi tryezë. Së pari, të konsiderohet e mjaftueshme dënimi që mori Vettel gjatë garës, pasi me 10 sekondat vonesë humbi mundësinë për të fituar Çmimin e Madh të Azerbajxhanit të Formula 1. Së dyti, të sanksionohet edhe më tej piloti gjerman, pasi Jean Todt është një mbështetës i fortë i sjelljeve të përgjegjshme në garim dhe mbi sigurinë rrugore. E së treti, të vendoset nisja e hetimeve ndaj Vettelit në Gjykatën Ndërkombëtare të FIA-s.

Në një komunikatë mbi takimin e sotëm, FIA ka sqaruar se “përfundimi i këtij takimi do të bëhet i ditur përpara Çmimit të Madh të Austrisë”, që do të zhvillohet këtë fundjavë në Zeltweg.