F1, Williams-Honda duke nisur nga viti 2018

F1, Williams-Honda duke nisur nga viti 2018

Skuderia Williams në Formulën 1 mund të shkëpusë lidhjet me Mercedesin dhe të nisë një bashkëpunim me Hondën.

Ky lajm është publikuar nga e përditshmja zvicerane “Blick”, sipas së cilës, skuderia britanike pritet të bëjë këtë ndryshim për vitin 2018, pikërisht kur mendohet se do të ndodhin edhe ndryshimet te McLaren, që do të ndërpresë bashkëpunimin me Hondën për të nisur një të tillë me Mercedesin.

“Williams, që ka garuar me motorët Mercedes që nga viti 2014, mundet që duke nisur nga viti 2018 ta bëjë këtë me motorët Honda”, lexohet tek e përditshmja “Blick”.

Skuderia Williams i ka përdorur motorët Honda edhe më parë, pikërisht të periudhën 1983-1987, duke fituar 24 gara me Nelson Piquet, i cili në një rast u shpall edhe kampion bote.

Ndërkohë, në këtë të përditshme u ngritën pikëpyetje edhe në lidhje me bashkëpunimin mes McLarenit dhe Mercedesit, ku theksi u vu pikërisht te rivaliteti mes tyre. “Dilema qëndron në faktin nëse vërtet ‘shigjetat e argjendta’ duan të përforcojnë një rival të fortë si McLaren”, shkruhet më tej te “Blick”.