F1 në Kanada, pilotët përgatisin garën e radhës

F1 në Kanada, pilotët përgatisin garën e radhës

Botërori i Formula 1 kthehet me Çmimin e Madh të Kanadasë. Në pistën e Montrealit, Ferrari dëshiron të përsërisë suksesin e arritur në Monaco, por për Sebastian Vettel do të jetë pista ajo që do ta tregojë se çfarë do të ndodhë.

“Më pëlqen pista e Montrealit dhe mezi pres të garoj në të”, tha Vettel. “Deri tani makina është paraqitur mjaft mirë në gara, duhet ta bëjë një gjë të tillë edhe këtu, por garanci për këtë nuk ka. Mendoj se forca jonë qëndron të impenjimi i të gjithëve. Po bëjmë një punë të madhe për të marrë maksimumin”.

Ndërsa te Mercedes, Lewis Hamilton sheh si pretendent për të fituar pikërisht Ferrarin, por kjo nuk do ta pengojë atë që të sulmojë menjëherë rivalin e tij Vettel.

“Në këtë moment, Ferrari është  skuadra favorite për të fituar, por ne po punojmë shumë që të korrigjojmë gabimet e javëve të kaluara”, tha Hamilton. “Do të kërkojmë të sulmojmë menjëherë edhe pse e dimë që do të jetë shumë e vështirë”.

Pas eksperiencës në Indianapolis 500, Fernando Alonso u kthye te garat e Formula 1. Në prag të Çmimit të Madh të Kanadasë, piloti spanjoll foli më shumë për të ardhmen e tij.

“Duhet të fitojmë ndonjë garë deri në shtator”, tha Alonso. “Nëse kjo do të ndodhë do të qëndroj në Formula 1. Do të largohem nëse kalendari do të pasurohet me 5 gara të tjera. 20-21 Çmime të Mëdha në Formula 1 janë të mjaftueshme, nëse kalendari shkon me 25-26 të tilla do të jetë e lodhshme për mua duke marrë parasysh moshën time”.