“Super GT”, Button do të debutojë në 1000 km e Suzukës

“Super GT”, Button do të debutojë në 1000 km e Suzukës

Jenson Button pritet të debutojë në një garë të veçantë “Super GT”, siç është ajo e 1000 kilometrave të Suzukës, që do të zhvillohet në gusht.

Për Button është përfolur shpesh një kalim në “Super GT”, që kur njoftoi tërheqjen e tij nga Formula 1 gjatë Çmimit të Madh të Italisë në sezonin e kaluar. Kampioni i botës në F1 për vitin 2009 u rikthye vetëm për një garë në sportin më të ndjekur të automobilizmit, fundjavën e kaluar në Monako, ku zëvendësoi Fernando Alonson te njëvendëshja McLaren, pas eksperiencës së spanjollit në “Indy 500”.

Duke folur mbi vendimin e tij për të garuar në “Super GT”, Button tha se interesimi i tij kishte lindur që në fund të vitit 2016.

“Më pëlqente të garoja në Super GT që kur provova për herë të parë të drejtoja një ‘NSX Concept-GT’ në ditën e falenderimit të Honda Racing dhjetorin e vitit të kaluar, - thotë Button. - Fola me Hondën dhe më dhanë mundësi të garojë në garën e 1000 kilometrave të Suzukës. Si një ish-pilot i F1-shit dhe anëtar i skuderisë Mugen, do të synoj të fitoj. E pres me padurim që të garoj sërish përpara fansave të mi japonezë”.

Button do të garojë për ekipin “Team Mugen”, në krah të Hideki Mutoh dhe Daisuke Nakajima. Ai do të testojë makinën “NSX-GT” për herë të parë në Suzuka, gjatë testimeve të gomave më 6 dhe 7 qershor.