F1, dështimi “Honda”. McLaren: Të gjitha opsionet mbi tryezë

F1, dështimi “Honda”. McLaren: Të gjitha opsionet mbi tryezë

Për të rikthyer McLarenin një skuadër konkurrente vitin e ardhshëm, mbi tryezë janë hedhur të gjitha opsionet. Lajmi konfirmohet nga drejtori ekzekutiv i skuderisë britanike, Zak Brown.

Pas vetëm 6 garash në këtë sezon, McLaren vijon të renditet ndër vendet e fundit për konstruktorë, me asnjë pikë të grumbulluar. Për të tretin vit radhazi, performanca dhe besueshmëria e njësisë motorike të furnizuar nga Honda janë edhe dobësia më e madhe e skuderisë, ndaj dhe nuk janë të paarsyeshme zërat që flasin për një rikthim te njësitë e prodhuara nga Mercedesi, të cilat u dëgjuan kryesisht përpara Çmimit të Madh të Barcelonës, në Spanjë.

Mungesa e konkurrueshmërisë së kësaj skuderie këtë vit çoi në marrëveshjen me pilotin Fernando Alonso që të braktiste garën për Çmimin e Madh të Monakos, për të marrë pjesë në “Indy 500”, por teksa edhe ajo aventurë e spanjollit përfundoi sërish me një dështim nga motori Honda, kjo çështje po kthehet në realitet të paevitueshëm në Formula 1.

Duke folur nga Indianapolis, të dielën, Brown e konsideroi çështjen e njësisë motorike “Honda” si thelbësore, duke thënë se të gjitha opsionet janë mbi tryezë për t’u konsideruar për të ardhmen e skuderisë, duke nisur nga sezoni i ardhshëm.

“Ne kemi punuar mbi shumë çështje tonat, por thelbi i problemeve qëndron në pjesën e pasme të makinës”, tha Brown. “Sezoni 2018 nuk është shumë larg, ndaj do të duhet të vlerësojmë çdo mundësi sesi të ngjitemi sërish në vendet e kreut. Edhe Jonathan Neale, partneri im në këtë sipërmarrje, tha se të gjitha opsionet janë në tryezë, por ne duhet të përmirësohemi me patjetër. Nuk e dimë sesi do t’ia dalim mbanë në këtë aspekt, por do të punojmë shumë”.