Strategu dhe “i humburi”, notat e pilotëve në F1

Strategu dhe “i humburi”, notat e pilotëve në F1

Formula 1 mbylli një tjetër ndalesë të këtij botërori, atë që konsiderohet si më e veçanta dhe specialja, që do të donte ta provonte një herë në jetë kushdo që është i apasionuar pas automobilizmit.

Çmimi i Madh i Montecarlos riktheu gjithashtu triumfin e dyfishtë të “kokëkuqes”, që kishte prej vitit 2010 në pistën e Hockenhaim, që nuk i rendiste të dyja makinat në vendet 1 dhe 2.

Një tjetër statistikë ishte edhe fakti që Vettel sigloi një fitore në pistën e Monakos pas plot 16 vitesh, pas fitores së Schumacher në vitin 2001, teksa edhe vet legjenda gjermane kishte thyer një rekord të ngjashëm, duke u rikthyer te fitorja në Çmimin e Madh të Monacos në vitin 1997, plot 16 vite nga triumfi i fundit i Gilles Villeneuve në vitin 1981.

Por cilat janë vlerësimet që kanë marrë pilotët pas garës në pistën më prestigjioze të Formulës 1, në të cilën është garuar për herë të parë më 14 prill të vitit 1929?

Vettel, 9 - Një pilot me tepër grintë, me një ritëm të lartë, por edhe shumë i qetë. Strategu Sebastian Vettel në Monako gaboi vetëm një herë, pikërisht në xhiron për të përcaktuar radhën e nisjes, pra në provat zyrtare të së shtunës, që në fakt është një specialitet i tij. Megjithatë, që në nisje të garës u pa dëshira e madhe për të kapur kreun, duke i qëndruar shumë pranë Raikkonenit. Nuk ia doli në nisje, por falë strategjisë së skuderisë pas ndalesës së parë në “pit stop”. Pikërisht në ato 5 xhirot e para pas asaj ndalese, Vettel fitoi garën. Kjo sepse xhirot në vijim ishin thjesht një shëtitje me ritme të larta dhe shpejtësi të çmendur në një nga pistat që shërben si rrugë e zakonshme në ditët e tjera të vitit në Principatë.

Raikkonen, 8 - Për finlandezin, “pole position”-i i siguruar në Montecarlo shërben si një fitore. Ai nuk mundi të ruante të njëjtin hap si kolegu i tij gjerman i Ferrarit, por sërish është për t’u vlerësuar për garën e tij.

Ricciardo, 7.5 - Australiani është një pilot që shpërdoron shumë pak. Nëse në vitin 2016 ishte pikërisht strategjia e skuderisë që e bëri të humbiste, këtë herë ishte strategjia që e ngriti deri në podium, kur dihet se Red Bull është një hap pas krahasuar me Ferrarin apo Mercedesin, dy pretendentët kryesorë për titullin kampion.

Sainz, 7.5 - Pas të mëdhenjve të këtij Çmimi të Madh renditet Carlos Sainz me Toro Rosso. Një garë e shkëlqyer ajo e spanjollit, i cili edhe pse u rendit i gjashti, mbajti pas shpinës së tij një mjeshtër si Hamilton në vendin e 7.

Bottas, 7 - Një provë e mirë vlerësohet ajo e Valtteri Bottas, i cili u përpoq të merrte maksimumin nga një Mercedes tejet i limituar në një garë të vështirë si kjo e Monakos.

Hamilton, 7 - Britaniku i Mercedesit fitoi 6 pozicione nga nisja, gjë që nuk është një arritje e paktë në Monako. Por vendi i shtatë në këtë garë nuk i shkon për shtat Lewis Hamiltonit, i cili synon më shumë, pavarësisht se këtë herë u desh të paguante nisjen e dobët nga vendi i 13-të i arritur në provat për “pole position” të së shtunës. I humburi i madh i kësaj gare.

Verstappen, 7 - Holandezi u penalizua nga pozicioni që mbante, në përpjekjet e para për të befasuar finlandezin Bottas. Por edhe në vijim nuk pati një garë të guximshme, të mbushur me gabime.

Massa, 7 - Williams këtë vit të ofron shumë pak, ndaj dhe shumëçka varet në shpatullat e brazilianit Felipe Massa, i cili e mbylli në vendin e 9. Të 20 pikët e grumbulluara këtë sezon mund të thuhet se janë vetëm falë paraqitjeve të tij, pasi makina nuk i përgjigjet siç duhet.

Grosjean, 6.5 - Shpesh gabon, por askush nuk mund të kontestojë faktin se ishte një nga pilotët më të shpejtë. E mbylli në vendin e 8 me makinën Haas, pas një superkualifikimi të shtunën.

Magnussen, 6.5 - Një sezon më i mirë ky nga sa mund të parashikohej. E mbylli në vendin e 10, por hap pas hapi duket se ai po ndërton besueshmërinë që i duhet një piloti të mirë.

RENAULT, 4 - Nuk është vlerësim piloti, por skuderie. Pikërisht në garën e ashtuquajtur “shtëpiake”, skuderia franceze nuk mundi të fuste asnjë makinë në zonën e pikëve. Duket se marka franceze po kalon kohë të vështira.

Mes pilotëve të tjerë, mund të thuhet se një meritë merr Palmer, me notën 6 për vendin e 11, kjo sepse të paktën arriti ta mbyllte Çmimin e Madh me një makinë Renault. Ocon vlerësohet me notën 5, shkaktoi një incident të rëndë, por është disi normale që debutuesit në Monako të vuajnë, si gjithmonë. Perez vlerësohet me 5, por mbahet mend për përplasjen që nxori jashtë gare Vandoorne, tejet e evitueshme. Button vlerësohet me 6, vetëm për faktin që rikthehet nga hiçi, pa asnjë test për këtë botëror nga i cili kishte deklaruar tërheqjen, por u përfshi vetëm falë largimit për një garë të Alonsos në “Indy 500”. Një incident i frikshëm ishte edhe ai i Button, që përplasi Wehrlein me mbrojtëset e pistës. I fundit Kvyat, merr notën 7 falë provave të mira, por garën e përfundoi pasi u godit nga Perez...për të disatën herë.