Montecarlo, Button rikthehet në F1...vetëm për Alonson

Montecarlo, Button rikthehet në F1...vetëm për Alonson

Rikthim i Button në Formula 1? Jo, vetëm për një garë, atë të Montecarlos, ku do të zëvendësojë Fernando Alonson e McLaren-Honda, teksa spanjolli provon adrenalinën e “Indianapolis 500” pas problemeve të shumta të skuderisë britanike që furnizohet me motorë japonezë.

“Nëse do të më jepej mundësia të zgjidhja, sigurisht që do të ishte më mirë të isha protagonist në Montecarlo, sesa ta ndiqja atë garë speciale të Formulës 1 nga jashtë, me ndonjë gotë shampanje në duar. Në fund të fundit, unë jam gjithmonë një ‘pilot i tretë’ i McLarenit”, është shprehur me këtë batutë të fundit piloti Jenson Button.

Piloti britanik garoi vitin e kaluar në Abu Dhabi me idenë se ajo do të ishte e fundit herë që zbriste në një pistë të Formulës 1, por këtë fundjavë do të rikthehet në drejtimin e një njëvendësheje, pikërisht McLarenit të Fernando Alonsos, që është duke u impenjuar në SHBA në një tjetër lloj gare makinash shpejtësie.

Edhe pse është mësuar prej kohësh me pyetjet e reporterëve, veterani Jenson Button u shfaq i emocionuar për këtë rikthim të papritur të tij.

“Është e vërtetë, është shumë bukur të jem sërish këtu dhe të rishoh fytyra që nuk i kam parë prej muajsh. Nuk jam aspak i shqetësuar për përgatitjen time, ndoshta nuk ka qenë perfekte, pasi idealja do të ishte të kisha kryer ndonjë testim në pistë, por në vend që të shkoja në Bahrein, kam punuar me skuadrën në një simulim. Ka shumë gjëra të ngjashme me vitin e kaluar, por edhe edhe të tjera që kanë ndryshuar. Megjithatë, në fund të fundit është gjithmonë një makinë për të garuar, vetëm se këtë herë disi më e gjatë”.