Alonso në Indianapolis, vijon përgatitjet e garës

Alonso në Indianapolis, vijon përgatitjet e garës

Fernando Alonso rikthehet në SHBA për të rimarrë drejtmin e një makine IndyCar në kuadër të përgatitjeve për garën 'Indianapolis 500' që do të zhvillohet në 28 maj.

Piloti spanjoll që nuk do të jetë i pranishëm në Çmimin e Madh të Monacos në Formula 1, e la Barcelonën menjëherë pas përfundimit të garës ku u rendit në vendin e 12, për të qenë në provat e zhvilluara në Brickyard.

Në përfundim të provave të para, Fernando Alonso regjistroi shpejtësinë 357 km/h, një rezultat ky mjaft i mirë për një pilot debutues në garën e 'Indianapolis 500'.

Alonso, që do të garojë më skuadrën 'Andretti Autosport', në sesionin e dytë të provave regjistroi një shpejtësi prej rreth 359 km/orë duke u renditur në vendin e 19 mes 32 pilotëve pjesëmarrës. Ai që rezultoi më i shpejti në pistë ishte shoku i skuadrës së Alonsos, Marco Andreti që shënoi një shpejtësi prej 364.2 km/h i ndjekur nga neozelandezi Scott Dixon, ndërsa i treti ishte Ed Carpenter, fitues i 2 pole position në garën e Indianapolis 500.

Ajo që të bën përshtypje është se ndërsa në Formula 1, Honda po vuan shumë, në provat e garës së Indianapolis, kjo kompani ishte dominuese, pasi 8 prej 10 makinave të para në këto prova furnizohen me motorë prej saj.