F1, e ardhmja e Alonsos? Nuk përjashtohet rikthimi te Ferrari

F1, e ardhmja e Alonsos? Nuk përjashtohet rikthimi te Ferrari

Fernando Alonso po përjeton një makth në këtë sezon të Formulës 1. Skuadra e tij, McLaren-Honda vazhdon të shfaqë probleme, e kjo ka bërë që spanjolli të fillojë të humbasë durimin.

Tashmë e ardhmja e 35-vjeçarit ka filluar të diskutohet në ambientet e këtij kampionati. Madje, së fundmi është folur edhe për mundësinë e kthimit të tij te Ferrari.

“Ky është viti im i fundit i kontratës me McLaren. Pas muajve të verës do të mendohem mirë se çfarë do të bëj, pasi do të jem shumë i ngarkuar me aktivitete. Vetëm më vonë do të bëj vlerësime, nëse do të kërkoj apo jo stimuj të rinj jashtë botës së Formulës 1. Rikthimi te Ferrari? Jam i hapur për çdo lloj zgjidhjeje”, tha Alonso.

Fernando Alonso do të mungojë në një garë të Formulës 1 të këtij viti, e bëhet fjalë për atë të Monacos më 28 maj, me spanjollin që në atë datë do të marrë pjesë në garën “Indianapolis 500”.