F1, dominim total i Ferrarit në provat e lira të Sochit

F1, dominim total i Ferrarit në provat e lira të Sochit

Dominim total i Ferrarit dhe një Mercedes që kësaj radhe, për herë të parë pas shumë kohësh, do t’i duhet të nxitojë dhe të ndjekë nga pas “kokëkuqet”.

Sesioni i dytë i provave të lira në Sochi të Rusisë, përpara provave zyrtare të ditës së shtunë dhe garës për Çmimin e Madh të së dielës, kanë ofruar një panoramë të qartë, edhe pse disi të papritur.

“Kokëkuqet” e drejtuara nga Vettel dhe Raikkonen ishin të pakapshme, me gjermanin që shënoi kohën 1’34’’ dhe 120 të mijëtat, ndërsa shoku i tij finlandez i skuderisë, me vetëm 263 të mijëtat më shumë.

Pas tyre, sigurisht dy “shigjetat e argjendta”, me Bottas që lë pas krahëve të tij britanikun Raikkonen, me pilotët e skuderisë gjermane që regjistruan kohë më të ngadalta, respektivisht me 670 të mijëtat dhe 709 të mijëtat.

Ndoshta në fillim të provave të lira askush nuk do të guxonte të vinte një bast të tillë. Kjo pasi, pista e Sochit ka qenë një “bastion” i Mercedesit, që në 3 edicionet e fundit ka siguruar dy fitore me Hamiltonin dhe një me Rosbergun e tërhequr nga Formula 1. Por këtë sezon duket se gjithçka ka ndryshuar.

Skuderia nga “Maranello” shfaqet gjithnjë e më konkurruese dhe, ndryshe nga prova e Bahreinit, arrin të sigurojë kohë fantastike që në provat e lira. Një paralajmërim ndoshta se Mercedesit do t’i duhet të vuajë shumë, nëse do të tentojë të arrijë fitoren e katërt radhazi në Rusi.

Pas dy makinave Ferrari dhe dy Mercedes janë renditur dy makinat Red Bull të Max Verstappen dhe Daniel Ricciardo.