F1, diskutime për parakalimet, nëse shfaqen sërish probleme

F1, diskutime për parakalimet, nëse shfaqen sërish probleme

Pas Çmimit të Madh të Australisë në Botërorin e Formulës 1 nuk ishin të paktë ata pilotë që shfaqën shqetësimin e tyre në lidhje me mungesën e parakalimeve në pistë, e njëri prej tyre ishte Lewis Hamilton.

Kjo ka bërë që drejtuesit e skuderive të mendojnë të rihapin diskutimet në lidhje me këtë çështje, në rast se ky problem do të vijojë të shfaqet edhe në gara të tjera.

Në pistën e Melbournet u kryen vetëm 6 parakalime, por ajo që duhet parë është se nëse ky fenomen u shfaq për shkak të pistës, apo të rregullave të reja për aerodinamikën. Për momentin, drejtuesit e skuderive kanë vendosur që të shohin edhe garat e tjera, përpara se të arrijnë në përfundime që mund të rezultojnë të nxituara.

“Kemi një makinë të konceptuar ndryshe. I vetmi shqetësim është parakalimi. Të shohim se çfarë do të ndodhë në garat e ardhshme dhe, nëse do të kërkohet veprim për këtë çështje, atëherë jemi të hapur të nisin diskutimet”, tha Toto Wolff për “Motorsport”.

Në të njëjtën linjë me Wolff qëndron edhe shefi i Red Bullit, Christian Horner, i cili tha se në fillim duhet parë sesi do të shkojnë gjërat në Kinë e Bahrein, për të arritur në ndonjë përfundim. Horner shtoi se është pozitiv fakti që në Australi, pilotët jepnin maksimumin në pistë gjatë të gjithë garës, pavarësisht mungesës së parakalimeve.